Berisha kundër policisë së Gjirokastrës: Ekstremistët grekë nuk duheshin liruar pa mbaruar hetimet

Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë vlerëson se personat e përfshirë në thirrje antikushtetuese në Bularat nuk duhet të ishin lejuar të largoheshin nga Shqipëria. Deklaratat ai i bëri gjatë një interviste për Abc News.

Ngjarjet e ndodhura në Bularat të Gjirokastrës, ditën e varrimit të ish ushtarakut grek Konstandinos Kacifas, për ish-kryeministrin e vendit Sali Berisha, ishin manifestim i asaj që quajti skenar Vorio Epiriot të tokën e askujt.

“Gjallë nuk kthehej në Greqi pa iu nënshtruar ligjeve shqiptare”, tha Berisha. 

Sot policia e Gjirokastrës i liroi 12 personat e ndaluar për t’i verifikuar. Ndërkohë për 11 prej tyre është bërë kallëzim penal në Prokurori dhe do të hetohen në gjendje të lirë.   

“Këta shtetas gjatë ceremonisë mortore të shtetasit Kostandin Kacifa, në fshatin Bularat, Bashkia Dropull, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë bërë thirrje për urrejtje dhe përdorim të dhunës ndaj popullsisë shqiptare, e kënduar në kor nga pjesëmarrësit në gjuhën greke, si dhe thirrje të tjera raciste duke nxitur urrejtje dhe grindje midis popullsisë. 

Në cilësinë e provës materiale këtyre shtetasve u janë gjetur dhe sekuestruar: maskë ngjyrë e zezë; flakadanë; flamuj me mbishkrimin “Vorio Epiri”; A.H 1914; bluza me mbishkrimin Vorio Epiri AH1914, “Ethniko Metepo”, “Misos” dhe 2 aparate celularë. Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë për veprat penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”, “Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cënimin e tërësisë tokësore të vendit”, thuhet në njoftimin e policisë Gjirokastër. Personat nën hetim janë si më poshtë.

Th.P., banues në Patra;

Th.A., banues në Athinë;

K.G., banues në Athinë;

A.P., banues në Igumenicë;

Th.P., banues në Piurgu Ilias, Peloponez;

D.K., banues në Igumenicë;

P.P., banues në Igumenicë;

M.D., banues në Igumenicë;

Ch.K., banues në Athinë;

Th.S., banues në Livadhja, Sarandë;

A.P., banues në Prevezë.