Berisha: Gazetarit nga Gjirokastra iu ofruan 20 mijë euro për të përgënjeshtruar lajmin mbi trafikun e drogës. Reagon vetë gazetari

Një natë më parë ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Saimir Tahirin se i kishte ofruar 20 mijë euro gazetarit nga Gjirokastra, Telnis Skuqi, për të përgënjeshtruar një shkrim të tij në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, që fliste mbi trafikun e drogës në jug të vendit. Deklaratat Berisha i bëri gjatë emisionit ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili. Ndërkohë sot në një intervistë për BoldNews.al gazetari Skuqi, i larguar prej tre vitesh në Norvegji, jep më shumë detaje rreth kësaj çështje. Më poshë pjesë nga intervista e tij.

“Absolutisht është e vërtetë. Është një histori e përjetuar keq prej meje, sepse pesë ditë pas unë guxova të publikoj një investigim, në mesditë më është bërë gjyqi, ndërsa në mbrëmje të asaj dite më është ofruar 20 mijë euro për të përgënjeshtruar dhe mbyllur investigimi im. Më 19 prill 2014 unë publikova tek gazeta “RD” invesigimin e parë për trafikimin e hashashin nëpërmjet avionëve të vegjël në jug të qarkun e Gjirokastrës. Ditën që u publikua investigimi, grupet kriminale më kërcënuan dy herë, njëherë me SMS, ndërsa disa orë më pas më postuan pranë banesës sime një kokë dhie të prerë. Sinqerisht isha i përgatitur për gjithçka, por nuk besoja se do të reagonin shumë shpejt. Po atë ditë, në mbrëmje një gazetare nga Tirana më ofroi 20 mijë euro për të përgenjeshtruar dhe mbyllur investigimin tim. Në atë takim, gazetarja është komunikuar me celularë dy herë me Ministrin e Brendshëm të atëhershëm, pasi unë nuk mund të premtoj asnjë gjë pa u informuar se kush ishin autorët që më kërcënuan familjen time. Në atë takim, pothuajse unë kam dëgjuar gjithçka, sepse bashkëbisedimi është bërë në praninë time. Ata prisnin përgjigjen e shpejt, por unë nuk u nxitova, pasi kërkoja kohë të analizoja gjithë ngjarjen që më ndodhi mua dhe familjes sime”, thotë Skuqi.