Bashkia Libohovë kundër kompanisë hollandeze: Zagoria është Park Kombëtar, s’mund të kërkohet naftë me tritol (VIDEO)


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Kompania Shell pritet të bëjë kërkime për naftë e gaz në disa zona në përfshijnë të gjitha bashkitë e qarkut Gjirokastër në një projekt që do të zbatohet gjatë 2019-ës. Në territorin të cilin Shell e ka emërtuar si Blloku 4 përfshihet edhe krahina e Zagorisë, ku kërkimet janë parashikuar të kryhen pikërisht brenda zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Zagorisë. Në një dëgjesë publike të organizuar në Gjirokastër me praninë e përfaqësuesve të kompanisë, drejtues të instiucioneve shtetërore dhe grupet e interesit, këta të fundit kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre për nisjen e kërkimeve në këtë zonë me potencile të mëdha natyrore, kulturore dhe turistike.

Nënkryetari i Bashkisë Libohovë, Ilia Kuro, është shprehur se derisa Zagoria është shpallur Park Kombëtar, nuk ka arsye që aty të shkelet ligji dhe të ketë gjithashtu shpërthime me tritol, që do të shkatërronin florën dhe faunën e zonës.

“Ka një VKM që e ka shpall Park Kombëtar. Ligji për zonat e mbrojtjes ka si qëllim të krijojë mbrojtje të vecantë për zonat e mbrojtura për vlerat natyrore që ka. Ose do kemi turizëm, ose nxjerrje nafte apo gazi. Ndërhyrjet e Shell do të shkaktojnë pasoja për florën dhe faunën duke e dëmtuar atë. A do ruhen këto parqe apo do të shndërrohen në zona naftënxjerrëse? A duhet futur Shell në zonat e mbrojtura apo jo? A nuk është kjo në shkelje me ligjin?”, u shpreh nënkryetari i Bashkisë Libohovë.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe administratori i Zagories.

“Kemi kërkuar sivjet shtrimin e 500 metrave rrugë kalimi me beton dhe nuk na lejuan pasi është zonë e mbrojtur, ndërkohë po flasim për punime me eksploziv”, tha Puleshi.

Përfaqësues të kompanisë Shell sqaruan se projekti ka si tematikë kryesore vrojtimin sizmik të kësaj zone, pjesë e Bllokut 4, dhe synon studimin e strukturave gjeologjike të tokës dhe potencialin e tyre në lidhje me sasinë e naftës dhe të gazit natyror. Ata theksuan se studimi sizmik ka qenë një kërkesë e qeverisë shqiptare.

“Projekti nuk tjetërson territor, nuk përdor teknologji që hap rrugë e shtigje të reja. Është shteti shqiptar ai që do të studiojë nëntokën dhe për këtë ka kërkuar kompani të shumta, ndër të cilat edhe shell, për të kryer këtë studim që nuk është i iniciuar nga kompania dhe shërben që shteti shqiptar të studiojë nëntokën e vet”, tha një prej tyre.

Fushata e vrojtimit sizmik pritet të nisë në tremujorin e dytë të vitit 2019 për një periudhë 6 mujore ku do të shpohen 3000 puse plasjesh me një ngarkesë eksplozive deri në 4 kg. Kompania bën të ditur se në disa zona mund të nevojitet edhe pastrim i vegjetacionit. Të gjitha këto detaje të bëra publike nga kompania naftënxjerrëse parashikohen të praktikohen në një zonë të mbrojtur natyrore si ajo e Zagorisë ,ndër ta paktat e mbetur ende e paprekur nga dëmtimet e aktivitetit njerëzor, por ende pa një plan menaxhimi.