‘Balili’, kujt ia bën këtë karshillëk shteti shqiptar? (VIDEO)


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Nga Mentor Kikia

Padyshim që është një lajm i mirë që një trafikant droge është sot në burg. Vetëm kaq! Por shfaqe të tilla nuk lënë aspak vend që policia të krenohet me fundin e një operacioni, që kishte kërkuar kudo nëpër Shqipëri për ta gjetur, e nuk kishin kërkuar vetëm në shtëpinë e të kërkuarit. Ndërsa shëmti me e madhe është mënyra e dorëzimit. Mungojnë vetëm sazet për ta përcjellë Balilin me nderime.

Dhe taksisti është vetë drejtori i përgjithshëm i policisë. Kujt i bëhet ky karshillëk shtetëror? Atyre hallexhinjve që shteti u shkelmon dhunshëm karrocat e kokoshkave apo trastat me sallatë kur i gjen në trotuare? Atyre që ua hedh në kanal bidonat e qumështit meqë shesin pa licensë? Atyre që tërhiqen prej leckash në furgonët e policisë, sepse s’kanë paguar dritat? Atyre që arrestohen sepse ndërrojnë dritaret e shtepisë pa marrë leje? Atyre që futen në furgonë meqë e kanë dum-dum-in pa targa? Shfaqja e (vetë)arrestimit të Balilit dëshmon me zë dhe figurë, se sa më i madh të jetë krimi dhe dëmi, aq më i respektuar je nga shteti.