Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural vijon takimet informuese me fermerët për thirrjen e dytë të programit IPARD. Takimi i radhës u zhvillua sot në Gjirokastër. E pranishme ishte drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca, kryebashkiaku Flamur Golemi, drejtues të lartë të programit IPARD II, si dhe përfaqësues të komunitetit të agro-biznesit. Drejtoresha e AZHBR prezantoi risitë e thirrjes së dytë të këtij programi, lehtësitë e krijuara, si dhe u bëri thirrje fermerëve të aplikojnë për të përfituar nga nga fondet që jep Bashkimi Europian dhe Qeveria Shqiptare për këtë program.
Programi IPARD II, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA II) për Zhvillimin Rural (IPARD), kontribuon me 94 Milionë Euro, fonde nga BE dhe Qeveria Shqiptare, për harkun kohor 2014-2020, me qëllim zhvillimin e sektorit agro-ushqimor. Programi IPARD II ka objektiv dhe prioritet mbështetjen e investimeve në sektorin agro-ushqimor me qëllim përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërisë me standardet e BE-së, mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale.
Thirrja është e hapur për të gjithë persona fizikë dhe juridikë, puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor, agro-përpunimit dhe zhvillimit rural, nga data 30 Tetor – 16 Dhjetor 2019, në masat e mëposhtme:
Masa 1: “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” në sektorët:
Qumësht, Mish, Fruta-Perime,Vresht.
Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” në sektorët: Qumështi dhe përpunimi i qumështit, Përpunimi i mishit, Përpunimi i frutave dhe perimeve, Vera.
Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” në sektorët:
Sigurimi dhe Prodhimi i bimëve medicinale dhe aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve dekorative, kërmijve; Përpunimi dhe tregëtimi në nivel ferme i produkteve bujqësore (qumështi, mishi, frutat perimet dhe verës); Përpunimi dhe tregtimi i bimëve medicinale dhe aromatike të egra apo të kultivuara, kërpudhave, vaji i ullirit, mjalti, peshku dhe produktet e peshkut, prodhimi dhe tregtimi i vajrave esenciale; Akuakultura (në ujëra të ëmbla dhe të kripur): Turizmi rural dhe i natyrës; Shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale; Punimet e artizanatit dhe industria e manifaktures; Prodhimi i energjisë së rinovueshme.
Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 57.68 milion EURO nga të cilat 75% ose 43.26 Milion EURO kontribut i BE dhe 25% ose 14.42 Milion EURO kontribut i buxhetit të shtetit. Më shumë informacion mbi programin IPARD II mund të gjendet në faqen e internetit të AZHBR; www.azhbr,gov.al; www.ipard.gov.al