Sot Gjykata e Apelit Gjirokastër la në fuqi vendimin e shkallës së parë për mësuesin nga Tepelena, Myzo Dida, i akuzuar për ngacmim seksual të nxënëses së tij në fshatin Luftinjë. Por Idajet Beqiri, avokati i viktimës, ka hedhur akuza ndaj prokurorit të çështjes, Julian Cfaka dhe gjyqtares Mirela Kore.
Ndonëse s’i ka përmendur me emër, gjatë një komunikimi me mediat, avokati tha se këtu kemi të bëjmë me një histori korruptive pasi prokurori që e kishte për detyrim ligjor ta apelonte vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, nuk e ka bërë diçka të tillë.
“Në situata të tilla cilado prokurori e Shqipërisë, nëse gjykata nuk ta miraton ty ‘arrestin me burg’, prokurori punën e parë që bën është ankimi te Gjykata e Apelit. Absurdi ishte që prokurori nuk bëri ankim fare. Kjo është hapur një korrupsion i gjallë. Nuk ka asnjë arsye tjetër, sepse po të kishte ajo do të ishte ligjore. Prokurori e ka të detyruar të bëj apelim kur i hidhet poshtë kërkesa që ka bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ka kërkuar ‘arrest me burg’ për 45 ditë dhe nuk bën apel. Bëmë ne si familje e viktimës, por Gjykata e Apelit arsyeton se ne nuk kemi të drejtë të bëjmë ankim. Edhe kjo është e gabuar nga gjykata”, u shpreh avokati Idajet Beqiri.
© ArgjiroLajm.net