Athinë, avokatja gjendet pa jetë në garazh

Na ndiqni në Facebook dhe Instagram:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Një avokate 33 vjeçare është gjetur e vrarë në garazhin e nëndheshëm të vilës së vet në lagjen e shtrenjtë Kifisia të Athinës. Sipas policisë, vrasja është kryer të martën, por viktima u gjet mbrëmjen e të mërkurës. Ajo ishte qëlluar disa herë me kallashnikov, por edhe me pistoletë të kalibrit 9 mm.

Në vendngjarje u gjetën 16 gëzhoja. Burime të policisë citohen nga mediat të kenë thënë se viktima kishte lidhje intime me një nga bosët e krimit. Avokatja ishte e skeduar nga policia, teksa vite më parë ishte akuzuar ndër të tjera për grabitje, çështje që lidhen me trafikun e drogës, si dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Gruaja e pafat kishte rënë sërish preh e një atentati në vitin 2011 dhe që atëherë ishte larguar jashtë Greqisë.

Policia thotë se ajo sapo ishte kthyer dhe duket se ekzekutorët u vunë menjëherë në ndjekje të saj. Kjo është vrasja e tretë mafioze brenda pak ditësh. Më herët një farmacist u vra para shtëpisë së vet, ndërsa një person i skeduar u gjet i vrarë brenda një makine. Policia po shqyrton nëse të tri vrasjet kanë lidhje ndërmjet tyre.

Sondazh: Votoni personazhin e vitit 2018 në Gjirokastër (lista me 10 kandidatë)