Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar vizitën e zyrtarit të lartë amerikan, Matthew Palmer.Ai tha në TCH se mesazhet e Palmer ishin të qarta, ku mesazhi kryesor shkoi për qeverinë dhe legjitimitetin e saj dhe i dyti për opozitën, e cila duhet të ri-integrohet në pozicionet e saja, të futet në zgjedhje. Ndërkohë, djegien e mandateve, ish-deputeti demokrat e cilësoi si një gjest të gabuar dhe se kjo ka shkuar në interes të Edi Ramës. Sipas tij, Partia Demokratike është në udhëkryq të rrezikshëm. Patozi e shikon zgjidhjen tek dorëheqja e Lulzim Bashës.
“Në politikë çdo gjë ka zgjidhje. Si mundësi shikoj që Lulzim Basha të pranojë që ky ishte një gabim dhe të japë dorëheqjen, e të shpëtojë Partinë Demokratike. Besoj që Basha ia ka kaq borxh Partisë Demokratike, që të mos sakrifikojë PD së bashku me veten, në këtë qorrsokak. Mospjesëmarrja në zgjedhje është një akt ekstrem politik, i cili nuk gjen kurrë asnjë portë të hapur në Perëndim dhe Lindje. Zgjedhjet lokale janë shumë më të këqija se zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet lokale, nuk ka kurrë zgjedhje të parakohshme. Ai që merr mandatin, e çon deri në fund. Nëse nuk merr pjesë, i jep mundësinë Edi Ramës që të fitojë në 90 -100% të bashkive. Do të thotë që i ke dhënë në tavolinë një kapital të çmuar dhe kjo është një kosto e madhe për Partinë Demokratike , një përgjegjësi që unë nuk do ta mbaja kurrë mbi shpinë. Nëse Basha jep dorëheqjen, udhëheqësi tjetër mund ta shpëtojë Partinë Demokratike sepse nuk ka përgjegjësi për djegien e mandateve e të futet në zgjedhje. Pse jo, mund të konkurrojë qeverinë , sepse qeveria nuk është sot kaq e fortë, jo për shkak të sondazheve, por për shkak se ka humbur shumë nga kredibileteti i saj”, u shpreh Patozi.