Në Shqipëri ka plot arsye për të protestuar kundër qeverisjes së Edi Ramës dhe opozita bën mirë që del në shesh, që thërret mbështetësit e vet dhe qytetarët në përgjithësi. Por vec kauzave protestat janë ndër të tjera edhe cështje numrash. Pjesëmarrësit tregojnë realisht se sa keq është situata për qeverinë dhe se sa frymëzon opozita, e cila është alternativa e marrjes së pushtetit.
Por ajo që pamë sot, të paktën në Gjirokastër, dëshmon në fakt se opozita e drejtuar nga Partia Demokratike nuk frymëzon dot ende. Kishte pak pjesëmarrës, kryesisht anëtarët e PD-së në Gjirokastër, Tepelenë, Këlcyrë etj. Mungone masa e gjerë e qytetarëve apo edhe e vetë socialistëve që Edi Rama ua ka sjell në majë të hundës.
PD Gjirokastër është në krizë, PD nuk shihet ende si alternativë qeverisëse. Për fat të keq edhe retorika e militantëve apo njerëzve të strukturave është dizastër. Ende bëhen protesta me thirrjet ‘poshtë komunistët’, a thua Shqipëria është ajo e vitit ’91. Natyrisht që këto radhë s’u pëlqejnë opozitarëve, as drejtuesve të opozitës, por e vërteta është kokëfortë dhe sot në Gjirokastër u pa qartësisht.
PD nuk është reformuar ende, PD nuk di të frymëzojë, nuk di t’u qaset qytetarëve dhe problemeve të tyre. Zgjedhjet lokale në Gjirokastër do ta provojnë këtë gjë. Partia Demokratike do të humbasë sërish dhe ndoshta rrezikon të tkurret akoma më shumë me numër votash. Nëse PD nuk hapet, nuk reformohet, nuk ndryshon strukturat dhe të afrojë njerëz të rinj, opozita ka për të qenë e gjatë për të. PD nuk mund të frymëzojë me Spiro Kserën, ish-ministrin e dënuar për korrupsion dhe pas me fytyrat e ish-funksionarëve të korruptuar gjatë 8 viteve të fundit kur kjo parti ishte në pushtet.
Le më pastaj të pretendosh ndryshimin me njerëzit e LSI-së. Nëse kjo opozitë nuk reformohet dhe nuk ndryshon qasjen ndaj qytetarëve, Edi Rama ka për t’i patur të gjata ditët në pushtet edhe pse në shumë aspekte qeverisja e tij është e keqe. Shihni pamjet më poshtë për të kuptuar ata që i dolën sot PD-së në shesh.
©argjiroja.net