Armand Mamani nuk është as i parë dhe me siguri as zyrtari i fundit i këtij vendit që abuzon me detyrën. Plotësisht dakord edhe me ata që thonë: Punë e madhe, sikur kushedi ç’vodhi, këtu bëhet nami, ju merreni me një drejtor bashkie… Patjetër që këtu ka plot zyrtarë që vjedhin fondet dhe abuzojnë me detyrën, madje edhe nga radhët e atyre që sot gëzojnë për ndalimin e Mamanit. Problemi me ish-drejtorin e Zamira Ramit në Bashkinë Gjirokastër është se u tregua shumë naiv. Lejoi vjedhjen e energjisë tek dyqani i kushërirës a thua se do të qëndronte drejtor i përjetshëm në atë institucion.
Që në momentin kur kryebashkiaku i ri Flamur Golemi nisi auditimin ndaj institucionit të tij, ai duhet ta kuptonte që pozitat po i lëkundeshin dhe duhej të mbulonte gjurmët e ‘krimit’ të vet. Thënë më thjesht t’i hiqte kabëllin e energjisë përmes së cilës vidhte kushërira, Eli Xhulati. Që të kuptohemi, nuk jemi duke dhënë ndonjë manual për të mbuluar vjedhjen dhe as për ta legjitimuar atë. Irena Karagjozi dhe Policia e Gjirokastrës bënë detyrën.
Thjesht ky është një rast shumë banal që tregon edhe cekëtinë Armand Mamanit. Nëse nuk di të mbulosh gjurmët, mos tento fare të vjedhësh se herët apo vonë zullumi trashet dhe pastaj këputet. Mamani në këtë rast është shembulli i zyrtarit publik me talent për të vjedhur, por jo për të fshehur gjurmët. Fatkeqësi e tij në këtë rast! Hetimet për atë që ka ndodhur tek Obelisku duhet të thellohen. Me siguri që këtu ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Nëpër tela e kabuj me siguri që nuk i ka futur duart vetë Armand Mamani. Minimalisht do duhet të jetë një apo dy elektriçistë të tjerë të bashkisë apo ndoshta OSHEE-së. Hetimet do të duhet të zbulojnë më shumë në këtë rast. Ndërkohë nga ana tjetër, s’ka vend për entuziasëm të madh tek askush, as tek socialistët e Gjirokastrës. Armand Mamani nuk duhet linçuar publikisht, nuk duhet bërë ‘tabelë qitje’. Le të merret drejtësia me të dhe të nxjerr përgjegjësinë e tij për rastin në fjalë apo për raste të tjera nëse ka të tillë.
©argjiroja.net