Leja për ndërtimin e një HEC-i në fshatin Kolonjë të Gjirokastrës është anuluar. Lajmin e konfirmuan sot për banorët dy ministra të kabinetit ‘Rama’. Belinda Balluku dhe Blendi Klosi ishin në fshatin Kolonjë për një takim me banorët. Bashkë me ta ishte edhe deputeti Flamur Golemi.
HEC-i i ri planifikohej të ndërtohej mbi përroin e Rehovës, degë e lumit të Kardhiqit. Banorët e 130 familjeve të Kolonjës, që kundërshtuan këtë ndërtim janë shprehur se ngritja e HEC-it do të devijonte një sasi të madhe të ujit të pijshëm dhe atij për vaditje.
Ata protestuan disa herë kundër projektit. Leja për ndërtimin e HEC-it u dha në maj të vitit 2017, me miratim të Ministrisë së Energjitikës. Kompania që qëndronte pas këtij projekti ishte ETT Group Auto sh.p.k.