Albano Aleksi ka qenë një nga më të dalluarit në fitoren që Luftëtari arriti të marrë ndaj Laçit. Në një prononcim për ‘Supersport’, ai u shpreh se ka luajtur pa presion ndaj Laçit, ndërkohë që ka folur edhe për problemet që ekzistojnë mes tij dhe klubit për rinovimin.
“Çdo ndeshje për mua është e radhës dhe jap maksimumin si çdo lojtar. Ekipi ka bërë një nga ndeshjet më të mira dhe më të vështira. Nuk shohim presionin e pikëve por duam të bëjmë lojën tonë.
Edhe lodhja ka qenë por edhe momenti i fundit është përqendrimi por kaloi me sukses dhe jemi të qetë pasi edhe gjuajtja e Gjonit në fund doli jashtë.
Konflikti? Janë gjëra që i përkasin skuadrës dhe është vendim i klubit. Nuk doja të isha i pezulluar por isha në stërvitje me të rinjtë. Nuk arritëm në konkluzion për kontratën e re dhe do të shohim nëse zgjidhet. Ia kemi lënë kohës dhe nëse nuk zgjidhet, secili sheh punën e tij.
Nga mungesa e Ramadanit, jam afruar me portën dhe aty kam luajtur dhe e bëj më mirë. Çdo lojtar aty jep maksimumin por unë luaj kudo ku thotë trajneri dhe ku ka nevojë ekipi”, tha Aleksi.