Ahmetaj thirrje bordeve univeristare: Paratë për bursat dhe tarifat janë në dispozicion, sillni sa më shpejt listat e studentëve përfitues


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Ministri në detyrë i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj i bën thirrjeve bordeve të administrimit të universiteteve që të përfundojnë sa më shpejtë listat e studentëve përfitues nga përgjysmimi i tarifave vjetore të shkollimit dhe të atyre që përfitojnë bursa.

Sipas Ahmetajt, i gjithë fondi është tashmë në dispozicion të universiteteve, paratë janë në buxhetin e shtetit, ndërkohë që priten listat e përfituesve nga bordet e universiteteve.

“Bordet e administrimit, ju bëj thirrje të përshpejtojnë procedurat për sjelljen e listave të studentëve përfitues. Studentët që kanë paguar tarifën e plotë do t’ju kthehet 50 %”, tha Ahmetaj.

Lidhur me procedurat për përfitimin e bursave Ahmetaj tha se ka marrë fund skema e vjetër kur paratë për bursa kalonin nëpër këshilla bashkiakë.

“Këshillat bashkiake janë jashtë procedurës për bursat e studentëve. Kjo do bëhet nëpërmjet ministrit përgjegjës për arsimin që miraton bursat për studentët. Këshilli bashkiak është jashtë kësaj procedure. Këto nuk do jenë bursa të copëzuara, por plot 10 mijë lekë të rinj në muaj për çdo student”, tha Ahmetaj.

“Gjithë paketa që sot është efektive nëpërmjet gjithë këtyre vendimeve shkon rreth 2 miliardë lekë ( ku përfshihen reduktimi i tarifave, përjashtimi i ekselentëve nga tarfia , bursa 10 mijë lekë në muaj për ekselentët apo ata që vijnë nga familjet në nevojë)”, përfundoi Ahmetaj.