Abazaj mban peng formacionin ndaj Kamzës, në stërvitjen e djeshme u festua ditëlindja e Aleksit

Luftëtari kërkon fitoren e parë sezonale në shtëpi. Dhe, për të realizuar këtë objektiv, duhet të kalojnë pikërisht Kamzën, që është kundërshtari i javës së 5-të. Ditët e ndërprerjes së kampionatit kanë shërbyer që kontingjenti i lojtarëve të rigjejë formën më të mirë, megjithatë 11-shja mbetet “peng” e Kristal Abazaj.

kristal abazaj

 
 Angazhimi i sulmuesit me Shpresa bën që ai të kthehet vetëm sot, ndaj stafi teknik duhet që të shohë gjendjen e tij fizike dhe më pas të vendosë nëse do e ketë apo jo nga minuta e parë. Nga ajo që u pa dje në stërvitje, duhet thënë se tashmë titullarët janë “fiksuar”. Seanca e pasdites së djeshme, e zhvilluar në stadiumin “Gjirokastra”, përmes vendosjes në fushë të 11 futbollistëve titullarë ndaj 11 të tjerëve, kishte për qëllim vendosjen taktike të mundshme për sfidën e nesërme.

Miraka do të blindojë portës, ndërsa defensiva do i besohet Toledos, Beqirit, Rrapës, Rrapos. Aleksi, Ramadani, Rroca do të rreshtohen në mesfushë. Sulmi pritet të nisë me Lamçen në të djathtë, Bregu në të majtë dhe Nunjez në qendër. Gjithsesi, gjithçka varet edhe prej Abazajt, nëse ai do të jetë gati, atëherë ofensiva do të ndryshojë. Gjithsesi performanca e Lamçes në ndeshjet e luajtura, edhe pse i aktivizuar disa herë në majë të sulmit të Luftëtarit, e përligj besimin ndaj tij.

albano aleksi

Seancës së pasdites së djeshme, veç stërvitjes, ka pasur edhe festë. Albano Aleski bëri 25 vjeç dhe ndarja e tortës u shoqërua edhe me urime. Nuk mund të mungonin batutat për shtatshkurtrin e Luftëtarit, ku më e veçanta ishte ajo e Zguros, i cili i tha: “Ta gëzosh 35 vjetorin!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.