37% e biznesit të vogël kundër TVSH-së, del studimi mbi performancën e SME-ve Janar-Shtator 2018

Na ndiqni në Facebook dhe Instagram:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Instituti Shqiptar i SME-ve, “SME Albania” zhvilloi një studim mbi performancën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) në vendin tonë, për periudhën Janar – Shtator 2018. Gjetjet nga intervistimi i rreth 500 sipërmarrjeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë në të gjithë vendin janë interesante, sidomos pjesa ku flitet për taksat apo detyrimet që biznesi i konsideron si të tepërta.

Kështu sipas anketës rezulton se 20% e sipërmarrësve vlerësojnë taksën e truallit si të tepërt për t’u paguar nga një SME. Bizneset në Tiranë, në masë 25% vlerësojnë gjithashtu si të tepërt taksën për arsimin. 11.6% e të intervistuarve mendojnë që e tepërt është edhe taksa e tabelës. Ndërkohë rritet përqindja e bizneseve që e mendojnë si detyrim të tepërt aplikimin e TVSH edhe për biznesine  vogël. Plot 37% e të anketuarve e konsiderojnë të tepërt përfshirjen e SME-ve në skemën e TVSH-së. Një pakicë prej 7% mendon që asnjë nga detyrimet nuk i duket i tepërt.  Studimi ka edhe gjetje të tjera me rëndësi për SME-të, si për shembull aksesi në financë, numri i kontratave të reja për periudhën janar-shtator 2018, shërbimet, tregtia me jashtë, standardet etj.

Sa i përket problematikeve më kryesore që listojnë SME-të në këtë anketë janë këto: Infrastruktura, një problem ky sidomos për sipërmarrjet në sektorin e turizmit; zhvlerësimi i euros, që prek sipërmarrjet eksportuese; tregu i punës i pa kualifikuar dhe vështirësia për të gjetur punonjësit e kualifikuar; Konkurrenca e pa ndershme, që vazhdon të mbetet shqetësuese sepse ndikon kryesisht në uljen e cilësisë së produktit apo shërbimit të ofruar; mungesa e institucioneve këshillimore për biznesin.

Në një masë të madhe, plot 75 % e te intervistuarve jane shprehur se ka rritje te volumit te eksportit dhe kontratave si dhe rritje e konsiderueshme e punesimit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. SME Albania është një platformë edukimi dhe trajnimi që mbështet sipërmarrësit në arritjen e suksesit në aktivitetet e tyre. Ky institut u ofron sipërmarrësve mundësi për të mësuar dhe për t’u njohur me praktikat dhe konceptet e reja gjatë drejtimit të bizneseve të tyre në mënyrë që ata të mund të trajtojnë çështjet që lindin në sektorët dhe bizneset në fjalë. SME Albania është fituese e cmimit ‘Best Practice’ nga European Training Foundation për vitin 2017.

©ArgjiroLajm.net 

Sondazh: Votoni personazhin e vitit 2018 në Gjirokastër (lista me 10 kandidatë)