Dalin detaje të reja lidhur me autorin e vrasjes së babait, ngjarje e ndodhur paraditen e sotme në fshatin Shalës të Memaliajt. Arjan Shahaj, 35-vjeç rezulton se ka qenë i dënuar dhe më parë me 8 vite burg, për shkak se ka plagosur një bashkëfshatarin e tij.
Ai njihej si një person i dhunshëm, dhe sherri me të atin ka agravuar, duke qëlluar me sëpatë mbi Iljaz Shahajn.
Mësohet se babë e bir janë nisur me bagëti së bashku, dhe pas një sherri, motivet e të cilit ende nuk dihen, i riu ka marrë sëpatën dhe ka qëlluar në drejtim të babait. Plaga e shkaktuar nga sëpata ka rezultuar fatale për 60-vjeçarin.
I biri, pas vrasjes është kthyer në banesë, ka hedhur celularin në një kovë me ujë, ka marrë rroba dhe është larguar nga shtëpia.