Partizani do të jetë të mërkurën mysafir në Gjirokastër, një transfertë që përmban një tabu 22-vjeçare për “demat”. Të kuqtë kanë gati 22 vite që nuk fitojnë në shtëpinë e Luftëtarit. Suksesi i fundit i Partizanit në Gjirokastër daton më 22 nëntor 1997, kur të kuqtë fituan 1-0 me gol të Leonard Perloshit, takim i vlefshëm për javën e 12-të të kampionatit.
Po këtë vit, Partizani ka eliminuar Luftëtarin nga Kupa, ku ndeshja e parë e luajtur më 24 gusht 1997 në Gjirokastër u fitua nga “demat” në shifrat 1-0. Pas një jave Luftëtari fitoi 1-0 në kryeqytet, por Partizani kualifikohet nga seria e penalltive, me rezultat 6- 5.
Ndonëse Partizani ka gati 22 vite që nuk fiton në Gjirokastër, statistikat e përgjithshme mes dy klubeve anojnë ndjeshëm nga “demat”. Përballja e radhës ka shumë rëndësi për të besuarit e trajnerit Franko Lerda dhe vetëm thyerja e kësaj tabuje mund të sillte qetësinë te Partizani.
Te Partizani akoma “djeg” humbja e 17 dhjetorit të 2017-ës, ku bluzinjtë i turpëruan në shtëpi të kuqtë, duke i mundur me rezultatin 5-0. Në sezonin e shkuar, të kuqtë luajtën tri herë në Gjirokastër, 2 për kampionat dhe një për Kupë, por në asnjërin rast nuk arritën të fitonin ndaj Luftëtarit.
Nga 6 përballje që kanë pasur vjet, kampionat dhe Kupë, Partizani fitoi vetëm një takim, ndërsa Luftëtari mori 3 fitore, dy prej tyre në Kupë.