Sot nisin punimet për ndërtimin e Bypassit të Tepelenës, i cili lidh segmentin Levan-Tepelenë me segmentin Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë. Kryeministri Edi Rama ka publikuar në facebook, detaje nga ky projekt i cili pritet të transformojë Tepelenën, nga një kthesë e braktisur në një zonë turistike.
“MIRËMËNGJES , dhe me këtë projekt që sot nis zbatimin nga 3D (meqë në këtë faqe ka disa që e kanë merak këtë punën e 3D😂) në realitetin në transformim të Tepelenës nga një kthesë e braktisur në një zonë turistike, e që njëkohësisht do të zgjidhë përfundimisht një nyje të mbetur rrugëve të aksit kombëtar Levan-Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë, ju uroj një fundjavë të qetë “, shkruan Rama.
Gjatësia e segmentit do të jetë 2.3 km me dy korsi nga 3.7 m dhe me një vlerë investimi prej 2.87 miliard lekë. Projekti parashikon mbrojtje lumore poshtë kalasë, mbjellje me pemë në skarpatet përgjatë rrugës, përmirësim i aksit mbi aksin ekzistues, përmirësim i nyjes në hyrje të qytetit të Tepelenës dhe lehtësim në qarkullim.
Gjithashtu, do të realizohet një rrethrrotullim në sheshin Ali Pasha, zgjerim i rrugës dhe realizim i trotuareve për këmbësorët që duan të vizitojnë kalanë, pastrim dhe rehabilitim i mureve të Kalasë, ndriçim i rrugës, mbrojtje e skarpateve dhe gjelbërim i gjithë zonës
Falë këtij investimi parashikohet edhe përmirësim i nyjes në hyrje të qytetit të Tepelenës dhe lehtësim i qarkullimit sikurse edhe projektim i urës me pilota me gjatësi 530 ml.