Departamenti i Administratës Publike do të pranojë në shërbimin civil rreth 1082 nëpunës të rinj, kjo për shkak të vakancave të krijuara. Në raportin vjetor të depozituar në Kuvend për vitin 2017, DAP thekson se numri më i lartë i pozicioneve vakante janë në kategorinë ekzekutive, ku do të zhvillohen konkurset për të pranuar rreth 675 punonjës të rinj.
Ndërkohë që vakancat janë evidentuar edhe për kategorinë e ulët drejtuese ku do të hapet gara për 312 pozicione pune, ashtu dhe për kategorinë e mesme drejtuese, 85 pozicione të lira. Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, drejtoresha e përgjithshme e DAP, Albana Koçiu, ka deklaruar se vendet e lira në administratë janë shkaktuar për shkak të lëvizjeve paralele midis institucioneve, rritjeve në detyrë brenda drejtorisë si dhe dorëheqjet, raporton Panorama.
“Administrata është shumë e lëvizshme për shkak të dorëheqjeve, lëvizjeve, daljeve në pension, por ndërkohë është e lëvizshme edhe për shkak të dy procedurave. Ajo e zhvillimit të karrierës brenda shërbimit civil dhe ngritja në detyrë. Të dy këto procedura krijojnë vende vakante, pasi një nëpunës që lëviz nga një institucion në një tjetër lë një vend vakant.
Por që trendi i vakancave shkon rreth 1100 vende”, është shprehur Koçiu. Para deputetëve, drejtoresha e DAP dha dhe një statistikë për konkurset e hapura në tri vite dhe ku rezulton se nga 1419 procedura rekrutimi, 452 kanë mbetur pa fitues.